Qyteti i fortifikuar i Beratit ndodhet përmbi një kodër në bregun e djathtë të lumit Osum. Në rrënojat e këtij qyteti të fortifikuar duhet parë qyteti ilir i Antipatreas i përmendur nga autorët antikë, Polibi dhe Tit Livi, në krahinën e dasaretisë, së bashku me një kurorë fortifikimesh të kësaj periudhe siç janë kalaja ilire e Goricës, qyteti ilir i Dimalit, kalaja ilire e Irmajt (Kodrioni ilir) dhe Bargullasi (Barguli ilir?). Nëpërmjet luginës së lumit Osum, qyteti ilir i Beratit realizonte lidhjet tregtare me qytetet e rëndësishme të Ultësirës bregdetare Dimalin, Bylisin, Kaninën, Aulonën, Apoloninë e Dyrrahun dhe po ashtu edhe me zonat e brendshme të vendit, me qytete të krahinës së Skraparit, të Tomorricës, të Korçës, të Kolonjës e Përmetit dhe më tej me Greqinë e Maqedoninë. Gërmimet arkeologjike në qytetin e Beratit pasuruan të dhënat mbi zhvillimin e kësaj qendre në lashtësi dhe hodhën dritë veçanërisht mbi fazën protoqytetare që kishte paraprirë lindjen e qytetit ilir Antipatrea. Në procesin e lindjes dhe të zhvillimit të jetës qytetare në Ilirinë e Jugut, qyteti ilir në kalanë e Beratit hyn në etapën e dytë, që përfshin periudhën midis viteve 335-230 para Krishtit. Kjo është koha, kur qytetet ilire jetuan periudhën më të lulëzuar. Një zhvillim të dukshëm mori jeta qytetare veçanërisht në krahinat e Ultësirës bregdetare, që shtriheshin në shpinë të Dyrrahut dhe të Apolonisë, ku përfshihej edhe Berati. Zbulimi i mureve rrethuese të periudhës qytetare ilire dhe porta kryesore e qytetit e ruajtur pothuajse e pandryshuar deri në ditët tona, flasin për nivelin ekonomik dhe kulturor që kishte arritur qyteti në këtë kohë.
Pas njoftimit të fundit të historianit romak Tit Livit (v.200 para Krishtit,) në shekullin I pas Krishtit, burimet e shkruara për qytetin ilir të Antipatreas heshtin. Në muret rrethuese të qytetit të Antipatreas, në periudhën që përfshin fundin e shekullit II deri në shekullit VI pas Krishtit, nuk janë bërë ndërtime. Kjo është një dukuri e vënë re edhe në qendërbanime të tjera ilire, dikur të fortifikuara.
Në kuadrin e organizimit administrativ të sistemit romak, si në shumë qytete të tjera ilire, që nuk u shndërruan në koloni romake, jeta në qytet nuk ka pasur atë gjallërinë e dikurshme. Megjithatë, numri i konsiderueshëm i fragmenteve të qeramikës së shekujve të parë pas Krishtit, të zbuluara në gërmime tregon se edhe në shekujt I-IV pas Krishtit, punishtet zejtare lokale të qeramikës vazhduan të prodhojnë për nevojat e popullsisë së qytetit.
Të dhënat e arkeologjisë tregojnë se qyteti ilir në kalanë e Beratit në kohën antike të vonë, duke kapërcyer e përballuar krizën e rendit skllavopronar të shekujve III-IV pas Krishtit, edhe pse ndoshta me një potencial ekonomik më të kufizuar, e vazhdoi jetën e tij. Muret rrethuese të qytetit, në këtë kohë, sikurse tregojnë gjurmët e tyre të zbuluara në disa pika të gërmimit, ndjekin në përgjithësi, linjën e mureve rrethuese të periudhës qytetare ilire.
Emri i qytetit në një trajtë pak të ndryshuar (Antipagrai) do të rishfaqet në shekullin VI, tek Prokopi i Qezaresë, në listën e fortifikimeve të Epirit të Ri të rindërtuara nga Justiniani I. Ndërsa në guidën "Synecdemua" të Hieroklit (shek.VI), ai do të përmendet me emrin Polyheriupolis. Në gërmimet arkeologjike, të bëra pranë portës kryesore të qytetit, u vunë re se tek muret rrethuese të qytetit, gjurmët e rindërtuara në këtë periudhë ndjekin linjën e mureve rrethuese të shekujve III-II para Krishtit. Rindërtimet e bëra në sistemin e fortifikimit mbrojtës, lënda arkeologjike, e përbërë kryesisht nga qeramika, nga veglat e punës, nga ndonjë objekt stolie dhe nga monedhat bizantine të shekujve IV-VI të gjetura në gërmim, dëshmojnë për jetën ekonomike dhe kulturore të qytetit në këtë kohë. Të dhënat e gërmimeve arkeologjike, si dhe pohimi i Prokopit lidhur me rindërtimet e bëra në këtë qytet, na bindin të shohim Antipagrain si vazhdues i emrit të qytetit ilir Antipatreas. Mbas shekullit VI, gjatë mesjetës së hershme dhe më pas, qyteti i fortifikuar i Beratit jetoi me ngjarjet historike që prekën krahinat shqiptare të jugut, të cilat në një farë mase kanë ndikuar në jetën e tij. Në burimet historike të mesjetës së hershme, pas Hieroklit, në shekullin lX, qyteti do të përmendet nga Porfirogjeneti, i cili është i vetmi, që duke u bazuar në të dhëna burimore me të hershme (tek Hierokli), e përmend atë me emrin Pulheriopolis.
Disa vjet pas pushtimit të Shqipërisë Jugore nga bullgarët (v. 851), mbreti Boris (852-889) pushtoi qytetin, i cili u quajt në atë kohë prej tyre Belgrad (qytet i bardhë), prej nga ka rrjedhur emri i sotëm Berat, i cili në burimet e mesjetës së hershme nga kronistët bizantinë do të kishte forma të ndryshme, Belgradum, Belogradum, Bellogradum, Belligradum. Në këto dokumente, ai njihet si qytet kështjellë, si seli peshkopale (v. 878) dhe më pas si qendër vilajeti. duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit IX deri në v.1018 qyteti ka qenë në sundimin e bullgarëve. Berati në çerekun e parë të shekullit XI ishte një qendër e rendësishme peshkopale dëshmuar kjo nga diploma e v.1019 e Vasilit II, kryepeshkopit të Ohrit. Në këtë kohë, qyteti i nënshtrohet disa riparimeve dëshmitë e të cilave i gjejme tek monogrami i Mihal Komnenit (1204-1214) i bërë me tulla bizantine mbi portën e oborrit të fortifikuar në hyrje të kalasë.
Në vitet 1272-1281, në Berat zhvillohet lufta ndërmjet anzhuinëve dhe bizantinëve që përfundoi me pushtimin e qytetit në vitin 1271 nga anzhuinët. Prania e një vargu kishash brenda dhe jashtë kalasë të ndërtuara sipas stilit bizantin të shekujve XIII-XIV të pajisura me afreske, ikona dhe objekte kulti të një niveli të lartë artistik, janë një tregues tjetër dhe flet, gjithashtu, për rëndësinë që kishte qyteti në këtë kohë. Të gjitha këto flasin për potencialin e mirë ekonomik, që gëzonte qyteti në këtë kohë, pa të cilin zor se mund te realizoheshin ndërtimet cilësore. Qyteti i fortifikuar i Beratit, si të gjitha qytetet e tjera shqiptare, në etapën protofeudale dhe më pas, veçanërisht në shekullin XIII, me zhvillimin e marrëdhënieve feudale, është bërë një qytet feudal shqiptar i lidhur me popullsinë vendase arbërore, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e kombësisë shqiptare. Ai në shekullin XIV, siç dëshmojnë burimet e shkruara, Berati do të ishte pronë e familjes feudale shqiptare të Muzakajve.
Vështrim i shkurtër mbi lashtësinë e qytetit të Beratit
Në këtë artikull, autori, na përshkruan në mënyrë lineare historinë e qytetit të Beratit, duke filluar nga kohët antike. Në mënyrë të përmbledhur dhe me referenca të ndryshme, ai tregon zhvillimin e qytetit që nga lashtësia deri në ditët më të vonëta.