Karl von Habsburg
President i «Blue Shield Austria»
President themelues i «Blue Shield International»
Dhjetor 2025
Është kënaqësi të kontribuoj për këtë numër të ri të «Art &Trashëgimi», një revistë e cila që nga ngjizja e saj është kthyer në një fushë dialogu, ndërgjegjësimi dhe reflektimi në lëmin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri e më gjerë. Të gjithë ne kemi të përbashkët një mision fisnik: ruajtjen dhe mbrojtjen e kulturës në dobi të njerëzimit. Gjatë gjithë jetës sime, unë ia kam kushtuar veten këtij misioni, duke nisur projekte në praktikë, duke zhvilluar ekspedita nëpër zona konfliktesh si edhe duke drejtuar nisma për mbrojtjen e trashëgimisë në zonat e prekura nga krizat. Shërbimi im i vijueshëm si zyrtar i Mbrojtjes së Pronës Kulturore në Forcat e Armatosura Austriake, ka ndikuar thellësisht tek unë për forcimin e idesë së lidhjes së pandashme mes kulturës, identitetit dhe dinjitetit njerëzor. Si presidenti i parë dhe themelues i «Blue Shield International» dhe po ashtu president i «Blue Shield Austria», kam pasur nderin të dëshmoj se si bashkëpunimi, dijet dhe përkushtimi mund të kthehen në mbrojtje të vërtetë për trashëgiminë e përbashkët të njerëzimit. Prandaj, i përcjell mirënjohjen dhe përgëzimet e mia të sinqerta redaksisë, kontribuesve dhe lexuesve të revistës «Art & Trashëgimi» për profesionalizmin e tyre, përkushtimin dhe për kontributin e tyre jetëgjatë në lëmin e kulturës së Shqipërisë brenda kornizës më të gjerë evropiane dhe ndërkombëtare.
Kjo revistë shfaqet si një gur themelor për komunikimin dhe popullarizimin e kërkimeve në fushën e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Ky botim dygjuhësh, shqip dhe anglisht, nuk është thjesht një shprehje krenarie për kërkimet shkencore në vend, por edhe një urë lidhëse ndërmjet kërkimeve shqiptare dhe bashkësisë akademike të botës mbarë. Temat që trajtohen, të pasura për nga larmia dhe thellësia, pasqyrojnë një konceptim të trashëgimisë si forcë e gjallë dhe përfshirëse. Videot shoqëruese i shtojnë hiret estetike dhe vlerat arsimore sepse përforcojnë ndërgjegjësimin e publikut dhe vlerësimin e paranoramës së gjerë kulturore të Shqipërisë. Sidoqoftë, e ndjej të nevojshme të përgjigjem i shtyrë edhe nga identiteti im si austriak, anëtar i familjes së Habsburgëve, dhe trashëgimtar i testamentit të Habsburgëve, gjë që hyn në aspektin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Qysh nga fundi i shekullit XVII, Habsburgët ushtruan Protektoratin e kultit, një mburojë për katolikët nën sundimin osman, përfshirë këtu edhe katolikët shqiptarë. Ata ushqyen lidhjet me klerin si edhe me parinë vendase, duke mbështetur rrjetin e misionarëve dhe nismat arsimore që mbajtën gjallë jetën fetare dhe kulturore.
Në shekullin XIX, përfshirja e Austro-Hungarisë u shtri edhe në fushën e shkollave, botimeve dhe studimeve shkencore që i dhanë shtytje kulturës shqiptare me alfabetin latin dhe lidhën parinë katolike me rrymat intelektuale evropiane. Themelimi i së parës shkollë në gjuhën shqipe në Shkodër në 1896, bashkë me shkollat françeskane dhe shtypshkronjat, përforcuan si identitetin katolik ashtu edhe përdorimin e shkrimit shqip. Roli i Vjenës si garantuese e të drejtave të katolikëve dhe lidhjet jetëgjata me klerin shqiptar ndërtuan ura themelore me Europën. Kjo përfshirje la një gjurmë të thellë në zhvillimet kulturore dhe politike të këtyre viseve si edhe kontribuoi për Rilindjen kombëtare dhe pavarësinë shqiptare, një ngjarje kjo e fundit që ende përmendet me përzemërsi në kujtesën kombëtare të popullit shqiptar. Prandaj, po ju shkruaj edhe si profesionist i trashëgimisë kulturore, dhe si Karl von Habsburg, dhe si pasardhës i një dinastie e cila, në kohën e saj, pati ndihmuar në mëkëmbjen e artit, kulturës, arsimit modern dhe fesë. Është nder për mua ta pohoj këtë të kaluar të përbashkët dhe të përshëndes përkushtimin tuaj të vijueshëm në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së gjallë kulturore shqiptare.
I uroj revistës «Art & Trashëgimi» edhe shumë vite të tjera pune frymëzuese, dhe pres me shpresë numra të tjerë që do të vijojnë të kremtojnë, mbrojnë dhe të
përtërijnë frymën kulturore që na bashkon të gjithëve.

