Elisabeth Gehrer
Ish-ministre e kulturës dhe e arsimit të Austrisë
Nëntor 2012
Për gati pesëdhjetë vjet, Shqipëria ishte një njollë e bardhë në hartën e Europës, një vend, për të cilin shumica e njerëzve nuk dinte asgjë. Në rastin më të mirë, ndodhte që konservat e domateve të importuara nga Shqipëria t’u kujtonin atyre se, diku në Ballkan ekzistonte ende “vendi i skipëtarëve”.1 Pas rënies së komunizmit, në vitin 1989, Këshilli i Europës bëri thirrje për të ndihmuar shkollat shqiptare, duke dhuruar mobilje shkollore. Në atë periudhë, unë isha anëtare e qeverisë së Landit Voralberg dhe mbuloja sektorin e arsimit dhe të marrëdhënieve me jashtë. Bashkë me disa bashkëpunëtorë të angazhuar, ndërmorrëm disa nisma ndihme në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë. Kështu lindi një bashkëpunim i frytshëm 20-vjeçar e bashkë me të lindën dhe një mori marrëdhëniesh miqësore. Këtë bashkëpunim arrita ta thelloj edhe më tej, gjatë mandatit tim si Ministre e Kulturës dhe e Arsimit të Austrisë, nga viti 1995 deri në vitin 2007. Falë këtij angazhimi pata rastin të njoh nga afër një vend dhe një popull me një të shkuar të lashtë e shumë interesante, si dhe kulturën e tij të pasur e të mrekullueshme. Dëshmitë e një të shkuare domethënëse dhe trashëgimia e pasur kulturore e Shqipërisë më kanë lënë mbresa të shumta. Butrinti, Apollonia, Voskopoja, Berati dhe Gjirokastra rrëfejnë historinë e vendit tuaj. Ato mbartin gjurmët e historisë që nga periudha ilire, romake, deri tek ajo otomane.
Qysh në shekullin e 18-të, në Voskopojë, kishte një shtypshkronjë dhe një gjimnaz. Fotografia më e vjetër në studion e Marubit në Shkodër daton në vitin 1858. Ky koleksion fotografik është një dokument i papërsëritshëm i jetës së Shqipërisë dhe të shqiptarëve në shekullin e 19-të. Marrëdhëniet kulturore dhe shkencore mes Shqipërisë dhe Austrisë kanë qenë gjithnjë veçanërisht të ngushta. Shumë të rinj shqiptarë kanë kryer studimet e larta në Grac dhe në Vjenë. Po kështu shumë aktorë dhë këngëtarë kanë qenë pjesë e jetës kulturore në Vjenë. Ndaj në vëmendjen time të veçantë ishte rigjallërimi i këtyre marrëdhënieve të vjetra. Opera e Mozartit “Don Giovanni“ u vu në skenë në Tiranë, si një bashkëpunim i suksesshëm i artistëve shqiptarë dhe austriakë. Muzika shqiptare, me tiparet e saj karakteristike dhe ritmet e veçanta, u përpunuan me një punë të përbashkët. Në skenat europiane ngjiten sërish këngëtarë të rinj e të talentuar shqiptarë, Po kështu, kanë rilindur artet figurative. Pas viteve të gjata të izolimit, tashmë jeta kulturore po merr një zhvillim të qëndrueshëm. Pjesë të së shkuarës po rizbulohen, shprehjet kulturore po shpalosen në forma dhe rrafshe të ndryshme, modernja ka zënë vend. Jam e bindur që në Austri, në të ardhmen, do të dëgjojmë shumë për artistët shqiptarë. Revista “Art & Trashëgimi” jo vetëm i dokumenton këto oferta kulturore shumë interesante, por dhe i bën ato të njohura botërisht. Unë u uroj botuesve të saj të angazhuar suksese të mëtejshme në punën e tyre.
1- Shënim i përkthyesit: Në vendet gjermanishtfolëse Shqipëria njihet edhe si “Vend i Skipëtarëve”, një emërtim i përdorur në romanin me titull “Përmes vendit të Skipëtarëve” të shkrimtarit gjerman Karl May (1842 – 1912).

