Blog Single
Shkodra, një udhëkryq vital për kultura të larmishme

Për mua është një kënaqësi e madhe të kontribuoj në këtë numër të ri të revistës "Art dhe Trashëgimi", i cili i kushtohet qytetit antik të Shkodrës. 
Shkodra, e cila është e pozicionuar në mënyrë strategjike dhe tërheqëse përgjatë lumit Drin dhe në këmbët e Alpeve shqiptare të Veriut, është zhvilluar, duke nisur që nga antikiteti, si një udhëkryq vital për kultura të larmishme. Katolicizmi, islami dhe krishtërimi ortodoks kanë luajtur të gjithë rol kryesor për të ndërtuar imazhin shumëfaqësh të trashëgimisë kulturore të Shkodrës. 

Koncepti kryesor i trashëgimisë botërore të bashkëndarë, ndërsa mbart vlera universale që duhen njohur dhe mbrojtur nga komuniteti ndërkombëtar, përbën edhe thelbin e Konventës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të vitit 1972, e cila përcaktoi Listën e Trashëgimisë Botërore. Neni 4 i Konventës pohon se çdo shtet ka "detyrën që t'u sigurojë identifikim, mbrojtje, ruajte, prezantim dhe transmetim të trashëgimisë kulturore dhe natyrore brezave të ardhshëm." Megjithëse Shkodra nuk është shënuar në Listën e Trashëgimisë Botërore apo në Listën e Shqipërisë, "kjo në asnjë mënyrë nuk duhet të interpretohet sikur ajo nuk ka një vlerë universale kulturore përndryshe atyre që rezultojnë nga përfshirja në këtë listë", në përputhje me nenin 12. 

Të parët që kanë siguruar ruajtjen e kësaj trashëgimie të pasur janë banorët e Shkodrës dhe komunitetet e saj fqinje. Është përgjegjësia e tyre e përbashkët të ruajnë xhamitë, kështjellat, katedralet dhe thesaret e tjera të trashëguara nga paraardhësit e tyre, si dhe t'ua kalojnë ato brezave të ardhshme për të mund t'i shijuar i gjithë njerëzimi Si qytet dinamik dhe në përparim, Shkodra përballet me sfidën e përbashkët dhe në rrije të zhvillimit e ndërkohë u mbetet besnike rrënjëve të veta dhe ruan trashëgiminë e saj. Përfshirja e komuniteteve lokale në menaxhimin e trashëgimisë së gjallë të qytetit përbën pa dyshim një pjesë thelbësore të çështjes. Duhet thënë se janë banorët lokalë ata që i njohin më mirë vlerën dhe domethënien e siteve të tyre. Rilidhja me trashëgiminë e tyre dhe me pasuritë kulturore, si edhe njohja e vlerave të tyre është pa dyshim një stimul për rritje dhe mirëqenie. 

Vitin që vjen, si pjesë e festimeve në të gjithë botën për 40 vjetorin e Konventës Botërore të Trashëgimisë, do t'i vendoset theks i veçantë temës mbi mbështetjen e zhvillimit dhe të komuniteteve lokale. Përvoja e gjatë e UNESCO-s ka provuar se përfshirja e komuniteteve lokale në ruajtjen dhe në zhvillimin e siteve historike është thelbësore për të pasur përfitime afatgjata jo vetëm për vetë sitin, por edhe për komunitetet lokale. Pikërisht përfshirja e komunitetit është hapi i sigurt fitues. Së bashku me kontributin për rritjen ekonomike, së pari duke krijuar mundësi punësimi, ajo ka edhe potencialin për të frymëzuar një sens krenarie dhe identiteti, si edhe për të përforcuar kohezionin social. 

Sa i takon humbjes së trashëgimisë si pasojë e zhvillimit të pakontrolluar urban, UNESCOja është angazhuar aktualisht në hartimin e një Rekomandimi për Hapësirat Historike Urbane, për t'i ndihmuar kombet që të përballën si duhet me sfidat e mëdha urbane të të sotmes dhe të nesërmes. Është thelbësore që të gjitha palët të punojnë së bashku në mënyrë që të ruajnë integritetin e qyteteve tona ndërsa lejojnë zgjidhje kreative dhe realiste për zhvillimin e ardhshëm. Prandaj, unë i çmoj të gjithë ata që janë përfshirë në mbrojtjen, promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë dhe të traditave të Shkodrës dhe i inkurajoj ata që të vijojnë me këmbëngulje në përpjekjet e tyre të admirueshme.  
 

Lexoni edhe