Blog Single
Për të zgjuar bukuritë e përfjetura

Me këtë synim, me këtë tingëllim, a thua se të frymëzuar drejtpërdrejtë nga orët e hershme të poezisë romantike të një Myseje ose të një Bajroni, shfaqet numri i parë i revistës ART & TRASHËGIMI. Dhe si për t'i mëshuar, e me çfarë force, këtij vullneti për të nisur zbulimin e thesareve të fshehura ose të panjohura të Shqipërisë, botuesi i saj ka zgjedhur të riprodhojë në kopertinë një nga veprat madhore të këtij piktori ikonash të jashtëzakonshëm të shekullit XVI, që qe Onufri. 

Kjo zgjedhje - Onofrius de Kastro, i lindur, duket, në Greqi, i formuar në Venedik, i ndikuar artistikisht nga Bizanti, por edhe nga Kreta, para se të hiqte dorë nga parimet estetike të kohës së vet - nuk është aspak e parëndësishme. Ajo na vendos drejt e në zemër të së vërtetës që përshkon tejpërtej botimin që kemi parasysh : trashëgimia shqiptare, edhe kur bëhet fjalë për art apo artizanat (për punimin e arit dhe të argjendit), për stoli, muzikë, arkitekturë, nuk thjeshtohet në atë që duket si vorbulla origjinale e ndikimeve më të larmishme, por gjithashtu më të pasurat e Mesdheut. 

ART & TRASHËGIMI zgjon - dhe na shpërfaq - bukuritë e përfjetura të Shqipërisë të cilat, për një farë kohe, shkatërrimet dhe shpërdorimet e revolucionit kulturor të 1967-ës, në mos i kishin fshirë, të paktën i kishin fshehur. Një vëmendje e veçantë - dhe me të drejtë - i është kushtuar Beratit, " qytetit të njëmijë dritareve ", të cilin Unesco, me mençurinë dhe gjykimin e saj, ka vendosur ta fusë në Trashëgiminë botërore, bashkë me Butrintin dhe qendrën historike të Gjirokastrës, apo të quajtur ndryshe " qyteti i gurtë ". 

Berati i bashkohet këtij origjinaliteti trashëgimor shqiptar që po përmendja më lart. Pavarësisht nga dyndjet e njëpasnjëshme që pësoi Iliria që në themelimin e qytetit në shekullin e 4-rt para erës sonë, por gjithashtu falë shumëllojshmërisë së ndikimeve fetare (të krishtera, ortodokse, myslimane) dhe kulturore (jo vetëm shqiptare, bizantine, romane, por gjithashtu turko-persiane, sllave, gjermanike, italiane ose frankofone…), si dhe falë larmisë së popullatave që banuan atje, ky gur i çmuar i arkitekturës mesdhetare ka gjetur dhe ruajtur një harmoni stilistike, një unitet estetik krejt të jashtëzakonshëm. 

Shumë mbetet për të bërë - të themi, për urën e famshme të Goricës, të gjymtuar aq rëndshëm - për t'i kthyer madhështinë e plotë, kësaj mrekullie të arkitekturës otomane, por dhe shumë qendrave të tjera historike shqiptare. 

Frut i bashkëpunimeve të saj intelektuale dhe të paraqitjes së shkëlqyer ka për të qënë pa dyshim sjella tjetër e revistës ART & TRASHEGIMI : e cila synon t'i bëjë të njohur një publiku të gjerë ndërkombëtar dhe botës së turizmit, rëndësinë dhe gjeninë e trashëgimisë shqiptare. Shqipëria sapo ka dalë nga varfëria. Vendi, në transformim e sipër, po rindërtohet pak e nga pak. Por këtë transformim, Shqipëria do mund ta bëjë aq më shpejt, aq më mirë, dhe aq më me koherencë, për sa kohë do mund të mbështetet tek një pasuri e rizbuluar, e inventarizuar, e restauruar dhe së fundmi e mbrojtur. Një pasuri e " kthyer " tek pronari i saj, tek populli shqiptar. 

Kjo prani e së shkuarës është dorëzanë e Shqipërisë së nesërme, të kësaj Shqipërie që e mishërojnë tashmë shumë talente me famë ndërkombëtare - mjafton të përmend shkrimtarët Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Fatos Kongoli, violinistin Tedi Papavrami, koreografi n Angjelin Perljocaj, pianistin Genc Tukiçi, kineastët Fatmir Koçi (Tirana viti zero) dhe Gjergj Xhuvani (Slloganët) etj. 

Soren Kierkegaard ka tërhequr vëmendjen lidhur me papajtueshmërinë dhe veçantinë e kujtesës së gjallë kolektive: 

"S'ke si e kupton jetën, po nuk e ktheve kokën pas; s'ke si e jeton a Jack Lang të, po nuk vështrove përpara." 

Kështu krijohen identitetet dhe farkëtohen fatet. Kam shumë besim në të ardhmen e Shqipërisë.  
 

Lexoni edhe