Gjatë shekullit XVIII, Shqipëria kishte më tepër se treqind vjet që ndodhej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Në krahasim me shekujt e mëparshëm, jeta ekonomike, shoqërore, politike, kulturore dhe artistike shqiptare kishte pësuar një kthesë të rëndësishme. Themelin e kësaj kthese e përbënte shthurja e rendit feudal ushtarak të timareve, i cili ishte vendosur në Shqipëri në shek. XV, në fillim të sundimit osman. Siç dihet, rendi feudal ushtarak i timareve, mbështetej kryesisht në mbisundimin e ekonomisë natyrore dhe në fitoret e vazhdueshme ushtarake që korrte Perandoria Osmane, në luftërat që zhvillonte për zgjerimin e kufijve në të katër anët e saj. Me kohë, guaska e ekonomisë natyrore kishte filluar të shthurej nga zhvillimi në gjirin e saj i ekonomisë së tregut, në të njëjtën kohë kur luftërat fitimtare të Perandorisë, kundër shteteve të tjera kishin filluar të pakësoheshin. Në këto rrethana, sa më tepër pakësoheshin të ardhurat që nxirrnin feudalët spahinj nga luftërat fitimtare, aq më tepër rritej interesi i tyre, sidomos në viset e Shqipërisë së ulët bregdetare për të përvetësuar fitimet që dilnin nga sfera e tregut. Rëndësia që morën tani të ardhurat nga ekonomia e tregut nxiti zhvillimin e prodhimit bujqësor në fshat dhe të prodhimit zejtar në qytet, njëkohësisht edhe zhvillimin e ndërlidhësit të tyre, tregun dhe rrjetin tregtar.
Shfaqja më e dukshme e kësaj kthese ishte rritja e shpejtë e qyteteve me çarshitë e tyre, si qendra prodhimi dhe shkëmbimi. Tjetër pasojë e këtij zhvillimi ekonomik ishte struktura e re shoqërore që u formua në shoqërinë shqiptare. Spahinjtë e humbën dalëngadalë karakterin e mëparshëm feudal-ushtarak dhe vendin e tyre si përfaqësues të shtresave të larta të shoqërisë e zunë, gjithashtu dalëngadalë, bejlerët çifligarë, të lidhur kryesisht me pronën tokësore dhe me fitimet e tregut. Ndërkohë, edhe vetë prona tokësore pësoi ndryshime. Dihet se më parë, në sistemin feudal-ushtarak të timareve, toka bujqësore konsiderohej mirie (pronë shtetërore), pra nuk mund të shitej e as të blihej lirisht. Shitej vetëm e drejta e përdorimit të tokës bujqësore, madje edhe kjo shitje nuk mund të kryhej pa miratimin e spahiut. Përkundrazi, tani çifligu u shndërrua në tokë private. Për më tepër, në kundërshtim me normat e mëparshme, kur spahiu kishte të drejtë të shfrytëzonte vetëm një çiflig (një ngastër rreth tre hektarë), tani ai filloi të përqendronte në duart e veta disa çifligje, madje ta kthente një fshat të tërë në çiflig të tij. Shkurt, çifligu u shndërrua në pronë private, ligjërisht i panjohur si i tillë, i ngritur mbi pronën "mirie", dhe kjo e fundit, vazhdoi të konsiderohej formalisht pronë shtetërore.
Ndryshime ndodhën edhe në sferën shoqërore. Ato përfshinë edhe katet e larta të shoqërisë shqiptare. Vendin e aristokracisë feudale-ushtarake tani po e zinte përherë e më tepër, aristokracia feudale-tokësore, e interesuar jo për fushatat luftarake, por për të shfrytëzuar të ardhurat financiare dhe ekonomike të vendit. Në të njëjtën kohë, në fshat ndonëse vazhduan të mbisundonin fshatarët e mesëm, varësia e tyre e mëparshme nga spahiu tashmë po dobësohej. Madje edhe vetë spahinjtë nuk jetonin më në fshat, por në qytet. Nga ana e tyre zejtarët, të cilët më parë zinin një peshë të vogël në jetën ekonomike të vendit, tashmë po rriteshin qoftë si popullsi, qoftë si ekonomi. Ndërkohë, zejtarët kishin krijuar organizatat e tyre esnafore. Ndikimi i tyre në jetën politike gjithashtu ishte rritur. Feudalët e strukturës së re e ndjenin të domosdoshme të siguronin përkrahjen e organizatave esnafore në ushtrimin e pushtetit të tyre. Këto fenomene sollën si rezultat lindjen e interesave kontradiktore midis provincave dhe pushtetit qendror perandorak. Rrjedhimisht, ato nxitën tek aristokracia feudale-provinciale dy procese: nga njëra anë, prirjen për t'u lehtësuar nga pushteti qendror sulltanor, i cili përpiqej të ruante centralizmin tradicional perandorak dhe nga ana tjetër, përpjekjen për të konsoliduar pushtetin e tyre partikularist në viset shqiptare. Ashpërsimi i këtyre kontradiktave shkaktoi fenomenin e njohur të anarkisë feudale, e cila përbën në shekullin XVIII, tiparin kryesor të historisë shqiptare. Shkurt, anarkia feudale shënonte një hap të rëndësishëm politik që kryente popullsia shqiptare e udhëhequr nga qarqet feudale dhe reshpere, për t'u shkëputur nga diktati i përditshëm i pushtetit qendror perandorak, në favor të pushtetit provincial separatist. Ky proces zhvillimi politik dhe shoqëror pushtoi në një masë të avancuar qytetin e Beratit. Në shek. XVIII, në trevën e Beratit, pushteti qendror perandorak sulltanor në Shqipëri ishte në dobësim të vazhdueshëm dhe pushteti feudal provincial shqiptar ishte gjithashtu në ngritje të pandërprerë. Në këtë kohë, autoriteti i administratës perandorake Osmane ishte në zbaticë dhe po fuqizohej me shpejtësi në rrethin e Beratit autoriteti pushtetor separatist i Ahmet Kurt Pashës. Kundërvënia e interesave politike të provincave ndaj interesave të pushtetit qendror hapi rrugën për t'u çliruar nga disiplina e hekurt që ushtronte shteti i përqendruar osman pothuajse në të gjitha fushat e jetës publike shqiptare. Sa më tepër thellohej anarkia feudale, aq më shumë shpërfilleshin normat kanunore të Sheriatit, sidomos kur ato nuk përputheshin me interesat e popullsisë vendase. Në aktet e Sheries së qytetit të Beratit, fillon të ndeshet shpesh arsyetimi ligjor, se në këtë ose në atë vendim, merrej parasysh jo Sheriati i imam Azemit, të cilin Stambolli e kishte paracaktuar që të zbatohej në "Ejaletin" e Rumelisë (ku bënin pjesë edhe sanxhaqet shqiptare), por normat e të drejtës zakonore vendase.
Shkëputje nga skemat orientale u dukën edhe në fushat e tjera të jetës. Struktura urbanistike e qyteteve në rritje e sipër po i nënshtrohej gjithnjë e më tepër nevojave dhe traditave lokale, pa mohuar ndikimin e stilit oriental. E njëjta gjë mund të thuhet për kompozimin e banesave qytetare, të cilat në tërësi anonin më shumë nga nevojat dhe nga shijet lokale.
Edhe tek xhamitë e ndërtuara në shekullin XVIII në Shqipëri ka elemente të traditës arkitektonike vendase, madje edhe të gjurmëve antike, siç vihet re për shembull tek kolonat e xhamive me kapitelet e stilit jonik, të cilat nuk ndeshen në botën orientale.
Kthesa u pasqyrua edhe në fushën e pikturës së kishës orthodokse. Faltoret e ngritura gjatë shekullit XVIII janë ndërtuar, siç e kërkojnë kanonet kishtare, me planimetri të kryqit grek, me gungore dhe naos, me narteks ose hajat, kurse muret përbrenda janë mbushur me piktura jo thjesht të ngurta, siç e kërkonte stili klasik bizantin, por me prirje dhe me elemente, diku më shumë e diku më pak realiste. Gjatë shekullit XVIII në shoqërinë shqiptare, në kundërshtim me diskriminimin fetar të fiksuar në praktikën e Sheriatit, toleranca fetare doli haptaz. Kishat, të cilat më parë për të mos rënë në sy maskoheshin nga jashtë me çati si ato të ndërtesave të zakonshme, qytetare apo fshatare - tani ndërtoheshin me fasada që dalloheshin së largu, që ishin faltore të krishtera. Tani ato kishin kupola. Në vend të kambanave, të cilat më parë fshiheshin në narteks të kishave, tani ato vendoseshin mbi kulla (kambanore) të ndërtuara në fasadat e jashtme të kishave.
Zhvillimi i ekonomisë së tregut lëshoi rrezatime edhe në fushën e pikturës. Megjithatë, këto rrezatime nuk qenë të njëllojta, as në përmbajtje, as në shprehje, në pikturën e aplikuar. Në faltoret myslimane, meqenëse kanonet islamike e ndalonin paraqitjen e frymorëve në fushën e pikturës fetare, në xhamitë dhe teqetë piktura e ruajti përsëri funksionin e vet të mëparshëm dekorativ dhe ornamental. Megjithatë, në disa xhami ose teqe të ndërtuara në shekullin XVIII, funksioni dekorativ u realizua jo vetëm si më parë me arabeska, por edhe me peizazhe jetësore - me shtëpi banimi, me kopshte, liqene, lumenj, apo pamje të tjera natyrore. Hapin e vet më të madh, arti e pati në fushën e pikturës kishtare, më saktë, në zbukurimin e kishave orthodokse. Ashtu si më parë, edhe tani kishat u zbukuruan nga brenda me ikona dhe afreske, me tematikën e përcaktuar nga kanonet bizantine, me portrete shenjtorësh dhe me skena ungjillore. Por tani, paraqitja e shenjtorëve dhe e skenave ungjillore ishte larguar nga skematizmi dhe nga ngurtësia e artit klasik bizantin. Madje, tani piktorët zbukuruan me afreske shenjtorësh edhe hajatet e jashtme të kishave. Veç kësaj, kthesa u duk në përvetësimin e elementeve realiste-jetësore, elemente të cilat ishin tepër të izoluara në shekullin XVI, kur u dukën rrallë si p.sh. tek Onufri nga Neokastra. Përkundrazi, tani në shekullin XVIII, ato përbënin tiparin kryesor të pikturës kishtare. Madje, disa nga piktorët e shekullit XVIII pikturuan në muret brenda kishës edhe tema laike - momente nga jeta e përditshme shqiptare (si p.sh. tek David Selenica: "Bujku që mbjell farën"), ose momente nga historia e Shqipërisë (si p.sh. te Kostandin Shpataraku: "Princi shqiptar i shekullit XIV, Karl Topia").
Prodhimin më të spikatur të kësaj kthese të rëndësishme që pësoi shoqëria shqiptare gjatë shekullit XVIII, e përfaqëson qyteti i Beratit. Në fakt, Berati pati që në shekullin XVII një zhvillim tepër të vrullshëm. Faktori kryesor nuk qe kalaja e fuqishme, por pozita gjeografike, e cila i dha mundësinë të përfitonte nga zhvillimi i hovshëm ekonomik i trevës. Berati, i vendosur në grykën më të ngushtë të lumit Osum, përfitoi nga pozita si urë lidhëse midis krahinës malore, kryesisht blegtorale të Skraparit, nga njëra anë dhe krahinës fushore kryesisht bujqësore të Myzeqesë, nga ana tjetër. Berati nuk qe i vetmi qytet që përfitoi nga zhvillimi i vrullshëm i ekonomisë në viset qendrore shqiptare. Krahas tij, një lulëzim ekonomik të përshpejtuar patën edhe dy qendra të tjera qytetare - Elbasani dhe Voskopoja, të cilat së bashku me Beratin, në lidhje të ngushtë midis tyre, formuan jo rastësisht, sikurse do të shihet më tej, trekëndëshin e lëvrimit të gjuhës shqipe, në të njëjtën kohë, gjatë shekullit XVIII, si nga penat e sferës kulturore myslimane ashtu edhe nga ato të sferës kulturore orthodokse.
Rreth mesit të shekullit XVII, Berati ishte qyteti më i rëndësishëm i Shqipërisë. Nga pikëpamja administrative, Berati vazhdonte të ishte kazà (rreth, nënprefekturë) e Sanxhakut të Vlorës (Qark, Prefekturës së Vlorës), në të cilën bënin pjesë edhe kazà të tjera (Përmeti, Tepelena, Mallakastra, Skrapari, Tomorrica, Myzeqeja). Për hir të rëndësisë që mori si qendër ekonomike e Sanxhakut dhe të pozitës gjeografike që ajo kishte në qendër të hapësirës së prefekturës, selia e Sanxhakut ishte shpërngulur disa kohë më parë nga Vlora në Berat, duke u quajtur vazhdimisht "Berati - qendra e Sanxhakut të Vlorës" . Një përshkrim të përmbledhur të nivelit ku kishte arritur Berati në çerekun e tretë të shekullit XVII, nga pikëpamja urbanistike, ekonomike dhe kulturore, e ndeshim në veprën gjashtëvëllimëshme të udhëtarit zyrtar turk Evliha Çelebiu, me titull "Sejjahat-namesi" (Libri i Udhëtimeve). Çelebiu, i cili e vizitoi qytetin në vitin 1672, shkruan se Berati kishte Kalanë, brenda saj një lagje me rreth 200 shtëpi, të mbuluara me tjegulla, shumica dërrmuese me banorë të krishterë, pesë kisha dhe një xhami. Qyteti i mirëfilltë, vazhdon ai, shtrihej jashtë mureve të Kalasë. Quhej Varoshi i Madh me pesëmijë shtëpi, të mbuluara me tjegulla, të ndërtuara qargjir, me një e me dy kate, shtëpi të bukura e të stolisura si qoshket e parajsës. Varoshi ndahej në tridhjetë lagje, nga të cilat nëntëmbëdhjetë lagje me shqiptarë të krishterë, dhjetë lagje me shqiptarë myslimanë dhe një lagje me banorë izraelitë. Duke folur për Varoshin e Madh, Evlia Çelebiu shkruan: "Berati ka në radhë të parë pesë medrese, përveç një sërë mësimoreve të tjera... Ka dy banjo, njëra ajo e Uzkurliut pranë xhamisë që mban këtë emër dhe tjetra në tabakhane. Veç këtyre, ka edhe njëqind e shtatëdhjetë copë banjo private nëpër pallatet e zotërinjve. Ekzistojnë një shumicë çesmash me ujë të mirë. Dy çesma janë ndërtuar në emër të Mimar Kasemit. Janë edhe nëntë kroje të prura prej Uzgurlliut. ...
Tregu i Beratit ka katër qendra kryesore. Tregu i saraçëve, tregu i mestexhive, tregu i tabakëve dhe tregu i kazanxhive. Këto tregje janë ndërtuar në një mënyrë shumë të bukur. Pranë lumit është tregu i ri i Hysejn Pashës me njëqind dyqane moderne ku përfaqësohen të gjitha llojet e esnafit...Tabakhana është vend dëfrimi me pastërti e hijeshi të madhe në breg të lumit. Tregu i kazanxhive, me tik-taket harmonike e shurdhuese që nxjerr çekani i rremtarit të palodhur ka hijeshi të veçantë në këtë monotoni. Edhe ky treg i ka dyqanet shumë të stolisura e me një sistem me shumë shije".
Evliha Çelebiu, të cilit Berati i bëri përshtypje të mirë, jep disa njoftime interesante, ndonëse të shkurtra, mbi nivelin kulturor të qytetit. Nga njoftimet e tij del se në qendrën e qytetit nuk zhvillohej vetëm veprimtari ekonomike, por edhe jetë kulturore. Ai shkruan: "Qendra e këtij tregu është një shesh i madh i stolisur me çdo lloj pemësh që i bëjnë hije këtij sheshi e në këtë hije janë vendosur disa frone ku japin këshilla e mësime njerëzit e artit e të kulturës. Poetët, oratorët e shkrimtarët e këtij vendi janë njerëz me kulturë të lartë e me studime të plota, për punë fetare nuk e çajnë kokën, por në sjellje janë shumë të kujdesshëm; janë njerëz të zgjuar me sjellje të zgjedhura e të arritura në një shkallë të lartë.
Tregu i kazazve me elegancë e pastërti të madhe, formon një pamje të veçantë bukurie. Berati ka pesë hane për të siguruar qetësimin e udhëtarëve dhe gjashtë bujtore për beqarë të huaj që vizitojnë qytetin ose që merren me ndonjë mjeshtëri. Ka edhe tri institucione mirëbërësie për t'u siguruar ngrënie falas skamësve.
Berati ka shtatëdhjetë e shtatë lulishte, ku bëjnë shëtitje populli. Më parë janë: Qoshkjet në faqen Çekebeni, nën kalanë; Sofatet e Tabakhanes, sheshi i bregut të ri nën hijen e pemëve, mali i Tomorrit ku gjuajnë trimat edhe Mali i Thatë me ato burime të ftohta e me ata lisa madhështorë që nën hijen e secilit mund të rrijnë nga njëqind veta. Ky vend ndodhet pranë lagjes përtej lumit. Populli i Beratit ndahet në tri klasa: intelektualë, punëtorë dhe esnafë, të cilët kanë në dorë zejtarinë e vendit; ka ndër ta qëndistarë, saraçë, argjendarë, mestexhinj, remtarë e lëkurëregjës...".
Njoftimet që jep Evliha Çelebiu mbi jetën kulturore të qytetit të Beratit, siç shihet janë tepër fragmentare, njëkohësisht krejt të njëanëshme, mbasi u referohen vetëm banorëve myslimanë të qytetit, pra pakicës së popullsisë qytetare. Megjithatë, ato janë interesante, mbasi na japin të drejtën të shohim diçka më tepër prapa njoftimeve të shkurtra të zyrtarit turk. Me interes është p.sh. njoftimi që ai jep se në qendër të tregut të Beratit ka një shesh të stolisur me llojlloj pemësh dhe me disa frone ku mbajnë ligjërata njerëzit e artit e të kulturës. Kjo të lë të kuptosh, se kultura këtu kishte dalë jashtë mureve të ndërtesave të mbyllura. Ai shton pastaj se ndër këta njerëz të kulturës ishin në radhë të parë poetët. Ai shkruan, siç u tha më sipër, se: "poetët, oratorët e shkrimtarët e këtij qyteti janë njerëz me kulturë të lartë e me studime të plota" dhe se "për punë fetare nuk e çajnë kokën, por në sjellje janë shumë të kujdesshëm".
Njoftimi që jep E. Çelebiu se, poetët, oratorët e shkrimtarët e Beratit "nuk e çanin kokën për punë fetare", na shtyn të besojmë se kemi të bëjmë me myslimanë hurufij, të cilët në të vërtetë nuk shqetësoheshin për probleme fetare, por vetëm për jetën kulturore artistike. Madje, disa prej tyre, siç mund të kenë qenë adhuruesit e Omar Khajamit, ishin skeptikë ndaj dogmës fetare islamike. Veç kësaj, edhe pse nuk e thotë, vetëkuptohet se në kohën e tij, pra në çerekun e tretë të shekullit XVII, poetët beratas nuk duket se vjershëronin në gjuhën shqipe. Në fakt, deri sot nuk kemi ndeshur nga kjo sferë kulturore asnjë poezi shqipe të thurur prej tyre në shekullin XVII. Kjo mund të shpjegohet me faktin se deri në fund të shekullit XVII hierarkia institucionale sunite e ruante ende monopolin e vet tri-gjuhësor oriental në jetën kulturore të qytetit. Me fjalë të tjera, ndonjë poet vendas vazhdonte të thurte për kënaqësinë e vet shpirtërore, ende poezi në gjuhët orientale, ose të paktën në gjuhën turqishte. Vetëkuptohet se recitimet në gjuhët orientale në sheshin qendror të tregut shijoheshin vetëm nga njohësit e këtyre gjuhëve, nga ata që kishin patur rastin të arsimoheshin në medresetë islamike. Për masën e qytetarëve, ato mbeteshin të pakuptueshme. Kështu, dalëngadalë, nën nxitjen e interesit të qytetarëve për lëvizjen letrare, poetët beratas morën nismën të thurnin poezi shqip. Nuk ka dyshim, se në këtë kthesë të lëvizjes letrare të gjuhës shqipe kanë ndikuar disa faktorë. Në radhë të parë, në shekullin XVIII institucionet fetare sunite pothuajse kishin filluar ta humbisnin në Shqipëri diktatin e tyre në lëvizjen kulturore të qytetit.
Ndërkohë, në rrethanat kur zhvillimi ekonomik, shoqëror, politik i vendit kishte shkaktuar të çara në guaskën e obskurantizmit të mëparshëm kulturor, masat qytetare kishin nevojë më tepër se më parë për një jetë kulturore dhe artistike. Si rrjedhim, ajo kthesë e madhe që ndodhi në lëmin ekonomik, shoqëror, politik, kulturor dhe artistik të vendit për të cilën u fol më lart nxiti edhe nismën nga baza dhe jo nga lart, të përdorimit të shqipes në fushën e shkrimit, madje edhe kalimin nga tematika fetare në tematikën laike. Gjithashtu, prirja e masave qytetare për të shijuar vjershërime shqip, u kushtëzua jo vetëm nga gjuha amtare e përdorimit të përditshëm, por edhe nga presioni i poezisë popullore shqipe, e cila përveç nivelit të lartë estetik ishte në të njëjtën kohë edhe poezi laike. Dëshmi për këtë ndikim kemi vargun tetërrokësh të poezisë popullore shqiptare, e cila spikat pothuajse në shumicën dërmuese të vjershave shqipe të shkruara me alfabetin arab. Në këto rrethana, nismën për të vjershëruar shqip e morën mbartësit e ideologjisë liberale hurufiste, të cilët ndërkohë u shkëputën nga disiplina ndaj sheih-ul-Islamit sunit.