Në bashkësinë e kategorive ndërtimore të Kalasë, e ndërtimeve të kultit, e qendrës zejtaro-tregtare dhe banesës, në Qendrën historike të Beratit, gjinia e fundit ashtu si në çdo qendër të banuar, shfaqet si mbisunduesja dhe për pasojë karakterizuesja e siluetit arkitekturor të vendbanimit. Ngritja e qendrës së banuar, fillimisht vetë qytetit, u krye brenda mureve rrethues të Kalasë dhe përhapja e tij vijoi jashtë, por pranë këtyre mureve, si lagjja Mangalem. Parapëlqimi për ndërtime mbi troje të pjerrëta, siç tregon lagjja Goricë, u dhanë qendrave të banuara beratase mundësinë për të shfaqur gjerësisht vëllimet dhe veçanërisht pamjet kryesore të tyre.
Gjithë duke qenë kushtet ekonomiko-shoqërore, përcaktuese kryesore të tipologjisë së banesës, të cilat shprehen me programin e saj, si tërësi e mjediseve jetësore dhe ndihmëse, kompozimi shfaq qartazi tipin apo llojin e banesës. Në disa raste dhe pikërisht lidhur me llojin e truallit, mbi të cilin ngrihet banesa, i rrafshët apo me pjerrësi të ndryshme, shkëmbor ose jo i tillë, ky faktor ndikon, madje, në mënyrë të ndjeshme në kompozimin vëllimor të banesës. Rasti i Beratit dhe veçanërisht ndërtimet e banimit, në lagjen Mangalem, Goricë, Kala dhe pjesë të lagjeve të tjera, shfaqin qartas ndikimin e drejtpërdrejtë të truallit të pjerrët dhe më saktë të aksidentuar shkëmbor, në kompozimin e banesës. Më tej, ky truall, siç shprehet qartazi, veçanërisht në lagjen Mangalem, kushtëzon edhe elemente urbanistike. Kështu, banesat e ngritura në formë vargu, daljet e tyre në rrugë, kryesisht me pamjen kryesore dhe trasimi i rrjetit rrugor të improvizuar, për të ndjekur vijat e niveleve, shpjegojnë njësinë e theksuar kompozicionale të bashkësive ndërtimore në shumë hapësira të Beratit.
Siç dihet, Berati është një prej qendrave të lashta të hapësirës shqiptare dhe më gjerë, i cili fillon jetën së pari si qendër e fortifikuar dhe rreth mesit të shekullit XIII, fillon procesi i lindjes së qytetit të hapur, i cili në shekullin XVII merr thuajse shtrirjen e plotë. Në mbarë kategoritë ndërtimore të Beratit, banesat që ruhen ende sot, shpesh me ndryshime të shkallëve të ndryshme, i përkasin kryesisht shekullit XIX dhe rrallë ndeshen banesa, të cilat mund të datohen të shekullit XVIII.
Megjithëkëtë, tipologjia e mjaft banesave lidhet me variante tejet më të lashta. Banesat beratase, të kuptuara si banesat e ngritura në Berat dhe aspak si tipologji vendore, për shkaqet e lartpërmendura, nuk kanë tipologji të qartë, duke pasur parasysh se kompozimi volumor është tipari thelbësor që përcakton tipologjinë. Përpara se të kalojmë në parashtrimin e llojshmërisë së banesës tradicionale beratase, do të ndalemi në një dukuri të veçantë, e cila ka ndikuar, ndjeshëm në llojshmërinë e kësaj banese. Është fjala për tërmetin katastrofik të 17 tetorit, 1851. Para këtij tërmeti sipas të dhënave të Çelebiut dhe disa gravurave të pikturave angleze, Kokrell dhe Lir, shihen qartë ansamblet e lagjeve Mangalem dhe Goricë. Ashtu si përgjithësisht në Berat, këto ansamble formoheshin prej banesave krejtësisht prej murature guri, duke i bërë kështu shkallëzimet vëllimore, në mënyrë të kuptueshme, dukuri të përhapur gjerësisht. Tërmeti i përmendur, shkatërroi thuajse krejtësisht katet e sipërme të banesave. Ndërkohë, në disa qytete shqiptare të kohës, si në Gjakovë, Korçë etj., kishte filluar të shfaqej ndërtimi i tipit të ri të banesës me qoshk, me tipare qartësisht qytetare. Për arsye të kuptueshme, pas tërmetit të përmendur, filloi rindërtimi i banesave të shkatërruara, kryesisht në katin e sipërm. Tashmë, qytetarët beratas, përqasës të vijueshëm të së përparuarës, ishin njohur me tipin e ri të banesës, e cila u përshtatej, prandaj në mbarë rindërtimet u përpoqën të ndryshojnë skemën kompozicionale, sipas këtij tipi. Krahas kësaj, përhapja e teknikës me skelet, të zbatuar gjerësisht në rindërtimet e përmendura, mundësoi daljen e ballit të banesave, apo edhe të pjesëve anësore në formë erkeri, duke rritur sipërfaqet e banimit. Gjithashtu, teknika e skeletit prej druri lejoi ndërtimin e dritareve të mëdha dhe të shumta, të cilat përveç funksioneve të njohura, gjallëruan ndjeshëm pamjet e banesave dhe të mbarë ansambleve. Në këtë kontekst do të thoshim pamëdyshje, se bashkësitë ndërtimore të lagjeve Mangalem dhe Goricë, shfaqen si kryevepra jo vetëm për hapësirën shqiptare, por edhe më gjerë.
Le të ndalemi tani tek tipologjia e banesës tradicionale beratase. Theksojmë se për shkak të larmisë së skajme të kompozimeve në troje të aksidentuara shkëmbore, cilësimet tipologjike të kësaj pasurie paraqesin vështirësi. Në këtë rast, do të qëndronim në dy lloje banesash të njohura në Berat, të asaj me çardak dhe të banesës me gjysmëkat dhe kat, të përhapura gjerësisht në lagjet e Qendrës historike, Kala, Mangalem dhe Goricë. Krahas këtyre, në Berat kanë qenë të njohura edhe banesat përdhese, siç dëshmohen në shekullin XVII, por sigurisht edhe më parë. Megjithatë, banesa me kat është mbisunduese në këtë qendër. Banesa me çardak, njihet që në shekullin XVII, por sigurisht dhe më parë. Ajo ndeshet e ndërtuar kryesisht në troje të rrafshëta, si në lagjen Murat Çelepias, por edhe në ato me pjerrësi të vogël, si në pjesën e poshtme të lagjes Goricë dhe të sipërme të asaj Përroi. Banesat me çardak të Beratit, i ndeshim në të tri variantet, duke pasur edhe shembuj me arritje të spikatura, si banesa e kthyer në muze etnografik, ajo e Haxhistasës në lagjen Kala dhe ato të lagjes Goricë, të ruajtura krahasimisht në shkallë të lartë autenticiteti. Në krahasim me banesat e të njëjtit tip, në qytetet e tjerë të Shqipërisë, banesat me çardak të Beratit nuk shfaqin dallime thelbësore. Grupi i banesave me gjysmëkat dhe kat, ndërtuar me muratorë guri, ruhet në shembuj të pakët në numër, për shkak të tërmetit rrënues të vitit 1851. Siç përmendëm, shumica e këtyre banesave u rindërtua, duke prurë ndryshime në katin e banuar dhe posaçërisht në pjesën ballore të tij. Këto ndryshime, veçanërisht në banesat me aksin gjatësor paralel me vijat e niveleve, synonin përvetësimin e kompozimit të banesave të shfaqura rreth gjysmës së dytë të shekullit XIX, në qytetet shqiptare. Të emërtuara banesa me qoshk, ato dallohen për një hapësirë qendrore, anash të cilës ngrihen dy ambiente. Këto hapësira shfaqen qartë edhe në formulimin e ndryshëm të dritareve, kur mungon dalja e njohur e pjesës qendrore. Ndryshimet në ballet e banesave të Mangalemit janë të rrokshme lehtë për syrin e profesionistëve, madje dhe për vrojtuesit e kujdesshëm. Banesat tradicionale të Beratit, përsa i përket materialeve të ndërtimit, nuk shfaqin veçanti të dalluara në hapësirën shqiptare. Guri, druri, tjegullat dhe llaçi me lidhës gëlqeren, janë materialet kryesore. Edhe teknikat e ndërtimit nuk paraqesin risi. Në këtë këndshikim, duhet të theksojmë arritjet e rëndësishme kompozicionale dhe arkitekturore të teknikës me skelet druri, të përhapur gjerësisht në Berat, pas mesit të shek. XIX. Trajtimi funksional arkitekturor i elementeve të ndryshme të banesës nuk paraqet risi të dallueshme, pa përjashtuar veçanti, kryesisht pasqyruese të zgjedhjeve, apo krijimeve të mjeshtërve ndërtues. Banesa tradicionale beratase, me zhvillimin e saj vëllimor, pamjen e jashtme dhe posaçërisht bashkëpërqasjen e theksuar të ngrehinave të veçanta, zë një vend të rëndësishëm në trashëgiminë historiko-kulturore të etnisë iliro-arbëreshe-shqiptare dhe më gjerë, siç e dëshmon dhe cilësimi i Beratit "Pasuri botërore" në vitin 2008.
Banesat në qendrën historike të Beratit
Autori bën një analizë të kujdesshme të strukturës ndërtimore të Beratit i cili është një prej qëndrave të lashta të hapësirës shqiptare dhe më gjerë, i cili fillon jetën së pari si qendër e fortifikuar dhe rreth mesit të shekullit XIII. Mangalem